Kurti: Sulmi në Banjskë ka qenë agresion kundër sovranitetit shtetëror, Serbia të jap përgjegjësi
Kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe ministra të kabinetit qeveritar, kanë bërë homazhe pranë varrit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në njëvjetorin e vrasjes së tij.
Kurti ka thënë se sakrifica e heroit nuk do të harrohet kurrë, duke shtuar se Bunjaku ka humbur jetën “duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës”.
“Rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes edhe ngadhënjen në çdo betejë. Sot që po flasim, Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë. Anembanë Kosovës, në çdo cep është shteti i Kosovës, shteti i Republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me nder dhe përkushtim. Numri i policëve me kadetë të rinj po rritet, morali i policisë sonë edhe ushtrisë tonë kurrë s’ka qenë më i lartë, andaj kjo sakrificë, ky flijim i rreshterit të policisë, të heroit Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fort për Policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme”, ka thënë Kurti.
Më tutje, Kurti ka thënë se për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku përgjegjëse është Serbia dhe se ajo duhet të japë përgjegjësi.
“Serbia është përgjegjëse, andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. E në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë”, ka thënë Kurti.