Kurti ‘sulmon’ Kushtetuesen pasi ia rrëzoi dy ligje antikushtetuese
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të qeverisë ka “sulmuar” Gjykatën Kushtetuese.
Kurti, ka thënë se vendimi i Kushtetueses për rrëzimin e Ligjit për Byronë do të pengojë “ndjekjen e krimit” dhe reformën e synuar në sistemin e drejtësisë.
“Kemi hartuar dhe miratuar Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme ashtu siç kemi miratuar edhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i cili në seancën e radhës do të votohet në leximit të dytë. Për më shumë prokurorë efikas dhe të pavarur nga politika e për një institucion të pavarur që do të kthente pasurinë e vjedhur. Të dy këto ligje si reforma thelbësore për sistemin e drejtësisë dhe luftimin e korrupsionit u konsultuan edhe me Komisionin e Venecias që i aprovoi të dy këto”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se nga këto ligje ka dobi publike karshi pasurimit të pabazë, kriminal e individual, por Kushtetuesja ka vendosur ndryshe.
“Megjithëkëtë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi të dy ligjet, duke zgjedhur kësisoj të vonojë ndjekjen e krimit dhe ta vonojë reformën tonë. Me 5 vota për në raport me 4 vota kundër, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se Kushtetuta është shkelur me Ligjin për Byronë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, duke treguar kështu se Kushtetuta ndryshe shihet nga gjysma e gjyqtarëve të Kushtetueses në raport me gjysmën tjetër”, ka thënë Kurti.