Kurti: Synojmë që Kosova të anëtarësohet në NATO në një të ardhme të afërt

09 tetor 2022 | 18:19

Kryeministri Albin Kurti në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-së në Prishtinë, ka thënë se synimi i Kosovës është të forcohet e të bëhet anëtare e NATO-s dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në promovimin e vlerave demokratike e të paqes nëpër botë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në veçanti institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë, do të vazhdojnë të zhvillohen, modernizohen dhe përgatiten bashkë me partnerët tanë të NATO-s me synim që në një të ardhme të afërt, vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të jap kontribut në promovimin e vlerave demokratike dhe paqen e sigurinë në botë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti në Seminarin e 102-të të Rose Roth:

Të nderuar anëtarë të asamblesë parlamentare të NATO-s,

Të nderuar deputetë e përfaqësues të institucioneve,

Të nderuar ambasadorë, partnerë të respektuar,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

NATO, si një organizatë e dizajnuar për të promovuar vlerat demokratike, për të ndërtuar besimin dhe për të parandaluar konfliktet, vazhdon të mbetet aleanca e vendeve që kanë synim ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në nivel global. NATO është e vetmja aleancë politike dhe ushtarake që synon të ruaj arritjet e shoqërisë njerëzore, dhe të avancoj vlerat që kanë për qendër graviteti, jetën dhe zhvillimin e qenieve njerëzore.

Në ambientin e sotëm global të sigurisë, vlerat demokratike dhe shoqëria njerëzore janë duke u sfiduar seriozisht nga shpërfaqja e ideve të vjetra por jo të vdekura siç janë hegjemonizmi dhe fashizmi. Politika ekspansioniste dhe militariste e Federatës Ruse, tendenca kineze për hegjemoni ushtarake regjionale dhe hegjemoni ekonomike globale, përpjekja iraniane për ndryshim te ekuilibrit të forcave në Lindjen e mesme si dhe kërcënimi militarist i Koresë së Veriut ndaj Lindjes së largët, janë treguesit më të mirë se sa serioze dhe e brishtë është situata e sigurisë në nivel global.

Ballkani perëndimor si regjion me shumë probleme të pazgjidhura, jo vetëm që nuk është imun por është i cenueshëm në aspektin e stabilitetit dhe sigurisë. Lidershipi politik i Serbisë ka maksimizuar mundësinë që i ka dhënë ndryshimi i ambientit strategjik të sigurisë, për të shtyrë përpara interesin e saj parësor për një Serbi si homogjeni regjionale. Influenca ruse në Serbi është e ndryshme prej influencës ruse në vendet e tjera të regjionit. Serbia ka mirëpritur influencën ruse dhe po e shfrytëzon atë për të mbajtur nën kërcënim sigurinë dhe stabilitetin në këtë pjesë të Evropës. Megjithëkëtë, në Bruksel ne angazhohemi për dialog konstruktiv dhe kreativ për normalizim të plotë të marrëdhënieve me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me njohje reciproke në qendër.

Zhvillimet e fundit pas agresionit rus dhe invazionit ushtarak në Ukrainë po vërtetojnë teoritë e luftës të cilat e theksojnë qartë, se për deri sa karakteri i luftës ndryshon, sepse ndryshon doktrina, teknologjia dhe kultura ushtarake, natyra e luftës mbetet e pandryshueshme në esencë, sepse ajo nxitet nga politika, fundamentalisht njerëzore, e dominuar nga dhuna dhe më destruktive se çdo aktivitet tjetër njerëzor. Prandaj, gjithmonë do të mbetet nevoja për të ndërtuar dhe zhvilluar aleanca dhe kapacitete të mbrojtjes dhe sigurisë.

Sot më shumë se kurrë, vendet e NATO-s duhet të kontribuojnë në ruajtjen e kohezionit brenda aleancës por edhe në zgjerimin e NATO-s. Unë besoj se zgjerimi dhe kohezioni nuk e përjashtojnë njëra tjetrën. Ato shkojnë krah për krah.

Zgjerimi i NATO-s, në aspektin ushtarak nënkupton rritje të fuqisë së gatishmërisë luftarake, kurse në aspektin gjeo-strategjik, zgjerim të kufijve gjeografik të NATO-s.

Republika e Kosovës është shumë e qartë në orientimin e saj politik dhe strategjik drejt integrimit në strukturat euro-atlantike. Në këtë aspekt Qeveria e Republikës së Kosovës ndër prioritetet e saj kryesore ka promovimin e vlerave demokratike, angazhimin diplomatik për anëtarësim në NATO-n dhe Bashkimin Evropian, si dhe ndërtimin e kapaciteteve të mbrojtjes në përputhje me standardet e NATO-s.

Në ushtrimin më të madh të radhës, “Defender Europe 23” që do të zhvillohet në maj dhe qershor të vitit të ardhshëm në pjesë të ndryshme të Evropës, duke përfshirë vendin tonë. Para dhe pas agresionit rus në Ukrainë, Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët e NATO-s për të kontribuar në mbështetje të luftës së drejtë të popullit të Ukrainës. Ministria e Mbrojtjes dhe lidershipi ushtarak i FSK-së marrin pjesë në baza të rregullta në takimet e grupit të kontaktit për Ukrainën.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe në veçanti institucionet e mbrojtjes dhe sigurisë, do të vazhdojnë të zhvillohen, modernizohen dhe përgatiten bashkë me partnerët tanë të NATO-s me synim që në një të ardhme të afërt, vendi ynë të anëtarësohet në NATO dhe të jap kontribut në promovimin e vlerave demokratike dhe paqen e sigurinë në botë. Ju falemnderit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pasagjeri, i cili u plagos rëndë në një aksident trafiku…