Kurti: Do ta dyfishojmë Lëvizjen Vetëvendosje në Prishtinë
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, sot, mbajti tu im me anëtarë, aktivistë e simpatizues nga Prishtina.
Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti, koordinatori i Qendrës së Prishtinës dhe drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Arben Vitia, si dhe drejtuesja e Grupit të Këshilltarëve Komunal të Lëvizjes Vetëvendosje, Leonora Shabani Bajraktari.
Arben Vitia duke i falenderuar aktivistët e simpatizantët për secilën fitore të shënuar në Komunën e Prishtinës foli edhe për nevojën e angazhimit të mëtutjeshëm për të ringritur Qendrën e Prishtinës.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti foli për rëndësinë e Qendrës së Prishtinës dhe opozitarizmin e pakomprentuar të Lëvizjes si në nivel lokal edhe atë qendror.
“Prandaj, në Prishtinë edhe ushtrohet veprimtaria jonë më e madhe politike. Këtu na duhet t’i organizojmë aktivitetet dhe aksionet, protestuese apo simbolike, këtu ballafaqohemi me pushtetin, prandaj këtu duhet ta dëshmojmë se jemi të shumtë në indinjatën tonë, por edhe të fortë në alternativën tonë. Për ta bërë këtë, na duhet një qendër shumë e fortë në Prishtinë. E qendra forcohet vetëm duke ia nisur prej pikës”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se Arben Vitia është përzgjedhur koordinator i Prishtinës pikërisht për shkak të vlerave si aktivist dhe si profesionit i mirë.
“Arben Vitinë e kemi zgjedhur në kryesi sepse është një njeri i thjeshtë e i ndershëm, komunikues e i ditur, dhe shumë punëtor. Nuk kemi dashur të vendosim në krye të këtij procesi ndonjë person i cili vuan nga mendjemadhësia apo nga komplekse të tjera”, është shprehur Kurti.
Kurti ka thënë se së bashku me koordinatorin Arben Vitia e angazhimin edhe më të madh të aktivistëve të Prishtinës e gjithashtu edhe me mbështetjen e gjithë Lëvizjes brenda vitit 2018 do të dyfishohet organizata në Prishtinë.