Kurti takim me delegacionin e misionit vëzhgues të BE-së për zgjedhjet e 6 tetorit
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me nënkryetarin Besnik Bislimi, takuan të enjten shefen e misionit vëzhgues të BE-së për zgjedhjet, eurodeputeten Viola Von Carmon-Taubadel dhe dy anëtarët e Zyrës së BE-së në Kosovë, Marian Gabriel dhe Dominic Howell.
Në takim u fol për rëndësinë e transparencës financiare të subjekteve politike dhe për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Ne e njoftuam eurodeputeten dhe ekipin e saj që Lëvizja Vetëvendosje e çmon dhe e respekton paranë e taksapaguesve dhe se të gjitha shpenzimet që kur ka hyrë në parlament i ka transparente e të publikuara në ueb faqen e saj. Gjithashtu, theksuam nevojën e përgatitjes së vëzhguesve për zgjedhjet e rëndësishme të 6 tetorit dhe rëndësinë e vëzhgimit ndërkombëtarë të këtyre zgjedhjeve”, është thënë në njoftimin e LV-së.
/Epoka e re/