Kurti takim virtual me studentët shqiptar në Hungari: Roli i tyre, i nevojshëm

22 nëntor 2020 | 23:41

Lideri i VV-së, Albin Kurti ka mbajtur një takim virtual me studentët shqiptarë në Universitetin e Debrecenit, në Hungari.

Ai thotë se ishte një bisedë interesante, ndërsa shton se roli i tyre në një qeverisje të mirëfilltë nga fusha prej më të ndryshmeve është i nevojshëm.

Ky është postimi i plotë i tij:

Takim virtual me studentët shqiptarë në Universitetin e Debrecenit, në Hungari

Pas takimeve në Llap mbajta një diskutim në Zoom me studentët e Universitetit të Debrecen, shqiptarë nga Kosova e Shqipëria, të gjithë bursistë të Stipendium Hungaricum.

Ishte interesante të diskutoj me shkencëtarë të rinj e profesionistë të ardhshëm, studiues nga niveli Bachelor e deri në Doktoratë, të fushave si: Nutrigjenomikë, Toksikologji e Ambientit, Inxhineri Biokimike, Inxhinieri e Sigurisë dhe Cilësisë së Ushqimit, Biologji, Fizikë, Inxhinieri e Mekatronikës, Aviacion (pilot profesional) etj.

Roli i tyre në një qeverisje të mirëfilltë nga fusha prej më të ndryshmeve është i nevojshëm. Të gjithë këta studentë përveç vullnetit për punë, pasionit për studim e kurreshtjes për dije, kishin edhe një shqetësim të përbashkët: cilësinë e arsimit në vendin tonë, veçanërisht tash që kanë përballë një sistem të edukimit të një shteti të Bashkimit Evropian.

Studentët tanë jashtë vendit jo rrallëherë ndihen të pabarabartë me kolegët e tyre atje, duke filluar nga niveli paraprak i edukimit që u është ofruar në shtetet tona e deri te çështjet administrative. Vendi i lindjes studentëve shqiptarë nga Kosova atje ju shkruan “Yugoslavia” – kjo për shkak të neglizhences së pushteteve tona të deritanishme. E megjithkëtë, studentët e këtillë janë ambasadorët më të mirë të shtetit e të historisë sonë.

Përkundër pengesave e vështirësive, studentët shqiptarë atje po dallohen në hulumtim shkencor në Akademinë e Shkencave të Hungarisë e po tregojnë suksese të hatashme në studime. Nuk ju mungon as interesimi për situatën politike të Kosovës e të kombit shqiptar, për politikat publike dhe raportet ndërkombëtare, për shërbimin ushtarak dhe shëndetin e rinisë, e aq më pak dëshira e zjarrtë që të kthehen e të kontribuojnë aty ku kanë lindur e janë rritur.

Detyra jonë është zotimi që këtyre studentëve t’ua hapim rrugën për ta ofruar kontributin e tyre në vendin tonë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e LDK-së, Nexhmi…