Kurti takohet edhe me Dendias në Greqi: Synim fuqizimi i raporteve mes dy shteteve
Qëndrimi në Athinë i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vijoi me takimin e radhës me ministrin e Mbrojtjes të Greqisë, Nikos Dendias.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se në takim u biseduar për marrëdhëniet Kosovë-Greqi dhe mundësitë e thellimit të tyre.
” Synimi ynë është fuqizimi i raporteve tona e ndërtimi i urave të bashkëpunimit me Greqinë. Palët diskutuan rreth rrugëtimit të Kosovës në proceset e integrimit evropian si dhe angazhimin e konstruktivitetin e vazhdueshëm të vendit tonë në procesin e dialogut e normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, thuhet në njoftim.
Kurti foli dhe mbi bashkëpunimin me KFOR-in në patrullimin e kufirit verior e situatën e sigurisë në vend, një muaj pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë.