Kurti takohet me ambasadorët e QUINT-it: Kosova e gatshme për zbatimin e Planit Evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar këtë të premte ambasadorët e QUINT-it, respektivisht ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë në Kosovë.
Siç bën të ditur Zyra e Kryeministrit, Kurti i njoftoi ambasadorët për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë dhe gatishmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të vazhduar diskutimet për planin e zbatimit në kuadër të propozimit të BE-së, të përkrahur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mes tjerash, Kurti dhe ambasadorët diskutuan edhe mbi aplikimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës teksa i falënderoi për mbështetjen e tyre për këtë aplikim.
“Republika e Kosovës ndanë të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, dhe këto janë të mishëruara edhe në Kushtetutën tonë, nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të Këshillit të Evropës”, u shpreh Kurti.
Kurti, tutje, theksoi se përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës dhe procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë.