Kurti takohet me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, flasin për zhvillimet e fundit në vend e projektet zhvillimore
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot pasdite në një takim Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit thuhet se në këtë takim u bisedua për zhvillimet e fundit në vend dhe bashkëpunimin në projektet zhvillimore ndërmjet dy shteteve.
“Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Republikës së Kosovës dhe e falënderoi ambasadorin Rohde për bashkëpunimin e afërt dhe të vazhdueshëm si dhe për bashkëbisedimin e ditës së sotme”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Kurti e ka nisur ditën e sotme me takime. Në orën 09:00, atij i ka shkuar në zyrë Shefi i CIA’s, william Burns. Takimi ka zgjatur rreth një orë.
Pas takimit, Kurti dha detaje në llogarinë e tij në Facebook. Vizitën e cilësoi si historike, e Burns si diplomat brilliant.
Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.
Burns është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë. Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti pasdite në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde.