Kurti takohet me ambasadorin e ri turk: Turqia, partnere e dëshmuar e Kosovës

23 shkurt 2023 | 16:26

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e ri të Republikës së Turqisë në Prishtinë, Sabri Tunç Angili.

Kurti në këtë takim ka shprehur mirënjohje për ndihmën dhe kontributin e dhënë Kosovës nga populli dhe shteti turk, si mik e partner i dëshmuar i popullit dhe Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Kurti ia ka shprehur ngushëllimet më të thella ambasadorit për viktimat e tërmetit që e ka  goditur Turqinë, duke shtuar se Kosova është pranë Republikës së Turqisë dhe popullit turk, dhe mbi bazën e kapaciteteve të saj, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e Kosovës, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave dhe ekipet mjekësore, kanë ndihmuar në këtë kohë të vështirë.

Ndërsa ambasadori Angili është shprehur falënderues për mikpritjen në Kosovë. Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohjen e thellë për ndihmën e Republikës së Kosovës dhënë institucioneve dhe popullit turk në rajonet e goditura nga tërmeti shkatërrues.

Në këtë takim është biseduar edhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të bashkëpunimit bilateral, veçanërisht në ekonomi, siguri, mbrojtje dhe kulturë.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas…