Kurti takohet me ambasadorin e Shqipërisë, kjo është tema që biseduan
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje,Albin Kurti, së bashku me kandidaten për deputete nga Lëvizja, Enkelejda Arifi takuan sot ambasadorin e Republikës së Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
“Kryetari Kurti uroi shërim të shpejtë për të lënduarit e tërmeteve që goditën së fundi Tiranën dhe Durrësin, duke shprehur gatishmërinë e Lëvizjes, mbështetësve të saj për të ndihmuar bashkombësit tanë që pësuan edhe dëme materiale nga lëkundjet. U përmend Forca e Sigurisë së Kosovës që përherë tregon gatishmëri të ndihmojë në raste të tilla dhe nevoja e afërsisë mes shteteve tona e sidomos për këso ngjarje”, është thënë në njoftimin e LV-së.
Bëhet me dije se Kurti së bashku me Arifin e njoftuan ambasadorin Minxhozi edhe për fushatën e hapur dhe transparente të Lëvizjes, shpalosjen e programit dhe pikat që lidhin Republikat tona si: rishikimi i legjislacionit për zhvillimin e tregtisë së përbashkët, njohja e diplomave, lejet e qëndrimit dhe punës, si dhe regjistrat civil e të bizneseve. Vëmendje e veçantë u tha se duhet t’i kushtohet një politike të bashkërenduar të jashtme, të mbrojtjes dhe sigurisë, të burimeve natyrore, si dhe politikave që mundësojnë një zhvillim të përbashkët të turizmit.
Kryetari Kurti dhe kandidatja Arifi falënderuan ambasadorin shqiptar për vizitën, duke uruar edhe njëherë shërim të shpejtë për të lënduarit nga tërmeti.
Ambasadori Minxhozi falënderoi kryetarin Kurti dhe Vetëvendosjen, për mbështetjen e ofruar dhe uroi sukses në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 6 tetorit.