Kurti takohet me ambasadorin francez, diskutojnë për dialogun Kosovë-Serbi
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e grupit parlamentar, Glauk Konjufcën dhe koordinatoren e Sekretariatit për Marrëdhënie me Jashtë, Nora Fetoshi, kanë pritur në takim ambasadorin e Francës, Didier Chabert me bashkëpunëtorë.
Në takim është diskutuar për situatën politike në vend, duke u ndalur në veçanti të dialogu Kosovë – Serbi.
Kryetari Kurti e ka njoftuar ambasadorin Chabert për qëndrimin e Vetëvendosjes karshi dialogut, duke thënë se një president që negocion pa platformë e pa mandat është i vetëm dhe nuk ka mbështetje për lojën e tij të rrezikshme.
Për t’i përfshirë të tjerët në aventurën e tij, Kurti ka thënë se presidenti Thaçi njëherë është munduar ta përdor si karrem ulësen për Kosovën në OKB, kurse tash po përpiqet që përsëri si karrem ta përdor rajonin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.
Më tutje, Kurti ka theksuar se njohja e pavarësisë së Kosovës, reciprociteti i të drejtave në të dy vendet dhe ballafaqimi me të kaluarën është formula e cila siguron paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.
“Ne duhet të flasim dhe të punojmë për të drejtat e qytetarëve serbë në Republikë, e jo për pazare të presidentëve autoritarë me territore. Për marrëdhënie të mira fqinjësore Serbia duhet të ndryshojë shumë. Fjalimi i Vuçiqit në Mitrovicë dëshmon pikërisht të kundërtën”, ka thënë Kurti.
Ndërsa ambasadori Chabert ka nënvizuar përkushtimin e Francës për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor në problemet e tyre të ndërsjella në rrugën evropiane, e veçanërisht Kosovën, duke u interesuar sidomos për reformën në sistemin e drejtësisë.
/Epoka e re/