Kurti takohet me ambasadorin francez, thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Boiken Abazi, kanë pritur sot në selinë e LV-së ambasadorin e Francës, Didier Chabert, dhe zëvendësambsadoren, Carole Blestel-Feffer.
Sipas njoftimit të LV-së, ambasadori tregoi interesimin për të folur për tema të shumta që kanë lidhje me situatën politike dhe ekonomike në Kosovë, duke shprehur edhe një herë mbështetjen e Francës për shtetin e Kosovës.
Kurti në këtë takim ka theksuar nevojat e mëdha ekonomike dhe sociale që kanë shtresa të ndryshme të popullit në Kosovë, nga punësimi e deri të investimet, dhe se si ka dështuar modeli ekonomik në linjën e të cilit po ecën qeveria aktuale.
Ai më tej ka theksuar edhe një herë domosdoshmërinë për t’u mos u ngutur e për të mos bërë gabime në dialogun me Serbinë.
“Duhet t’ia nisim nga vlerësimi në Kuvend i marrëveshjeve të arritura deri më sot, dhe ky vlerësim po ndalet me qëllim nga kryetari i Kuvendit. Më tej, kryetari Kurti shpjegoi për mungesën e legjitimitetit demokratik të ekipit negociator dhe të qeverisë, si dhe për nevojën për të mbajtur zgjedhje të parakohshme nga të cilat do të dilnin institucione legjitime dhe demokratike”, është bërë me dije në njoftimin e LV-së.
/Epoka e re/