Kurti takohet me drejtorin e Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur në takim Emir Suljagiq, drejtor i Qendrës Memoriale të gjenocidit të Srebrenicës, i cili është dhe i mbijetuar i këtij gjenocidi të kryer nga forcat serbe në korrikun e vitit 1995, në të cilën u vranë mbi 8.000 boshnjakë.
Ai i ka uruar mirëseardhje në Kosovë, në 25- vjetorin e çlirimit të vendit tonë dhe përfundimit të spastrimit etnik dhe gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
Duke vlerësuar miratimin e rezolutës së Kombeve të Bashkuara mbi 11 korrikun si Ditë Ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të Srebrenicës, kryeministri ka rikujtuar se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në korrikun e vitit 2021 një rezolutë të posaçme e cila e dënon gjenocidin serb në Srebrenicë.
Në takim është vlerësuar bashkëpunimi mes Institutit për hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë dhe Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës dhe memorandumi i bashkëpunimit që pritet të nënshkruhet.
Kryeministri Kurti ka theksuar përkushtimin e qeverisë për procese gjithëpërfshirëse të drejtësisë tranzicionale, si dhe finalizimin e Strategjisë së parë të Republikës së Kosovës për drejtësi tranzicionale.
“U tha se për paqe në Ballkan, Serbia duhet të ballafaqohet me të kaluarën e saj dhe të mbahet përgjegjëse për krimet, masakrat dhe gjenocidet e kryera, dhe që të sillen para drejtësisë përgjegjësit e krimeve të kryera gjatë luftës”, është thënë në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.
Duke e falënderuar Kryeministrin për takimin, Suljagiq ka shprehur mirënjohje për mikpritjen e ngrohtë që po i bëhet në Kosovë si dhe ka ritheksuar potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.