Kurti takohet me ekipet e misioneve vëzhguese të zgjedhjeve nga BE-ja dhe Këshilli i Evropës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim në mëngjesin e sotëm ekipe të misioneve vëzhguese të zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KIE).
Zyra e kryeministrit ka njoftuar se në këto takime është diskutuar rreth procesit zgjedhor e zgjedhjeve të 9 shkurtit, si dhe rëndësisë së mbarëvajtjes së tyre.
“Kryeministri Kurti theksoi se procesi duhet të jetë transparent e demokratik. U konstatua se Kosova ka arritur të realizojë shumicën e rekomandimeve të partnerëve tanë ndërkombëtarë në lidhje me procesin zgjedhor, gjersa vendi ynë vijon të jetë shtet i pluralizmit politik dhe i garës së hapur e të drejtë për të gjithë. Kryeministri Kurti i falënderoi ekipet e misioneve vëzhguese për takimin e bisedën e sotme si dhe angazhimin e tyre”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.