Kurti takohet me homologun grek në Mynih, ja për çfarë biseduan
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar në Mynih të Gjermanisë me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, me të cilin ka biseduar për çështje me interes të përbashkët në mes të dy shteteve.
“Zhvillimi ekonomik, qeverisja e mirë, bashkëpunimi në rrafshin ekonomik dhe tregtar, mundësitë për investime në Kosovë, procesi i dialogut dhe rregullorja e Bankës Qendrore mbi operacionet me para të gatshme, ishin temat kryesore”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Theks të veçantë gjatë këtij takimi, kryeministri Kurti i ka dhënë prioritizimit që i ka bërë qeveria energjisë së ripërtërishme dhe mundësitë që vendi ynë ofron për investime në këtë sektor.
Ai e ka njoftuar kryeministrin Mitsotakis se pas ankandit të parë solar 100 MW, do të ketë edhe një ankand tjetër për energji të erës, i cili paraqet një mundësi të re dhe shtesë për investime në Kosovë nga kompani greke.