Kurti takohet me Kamberin, bisedojnë për të drejtat e shqiptarëve në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik (PVD) dhe shefin e grupit parlamentar “Lugina e Bashkuar-SDA” në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.
Kurti dhe Kamberi kanë biseduar për çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në viset e tjera në Serbi.
Në takim është diskutuar edhe për të drejtat që i kanë shqiptarët përmes Këshillit Nacional Shqiptar, si dhe zvogëlimin e tyre nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Serbisë, nga janari i vitit 2014.
Mes tjerash Kurti dhe Kamberi kanë diskutuar edhe për takimin e 15 qershorit në Bruksel, për dialogun e ardhshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbi statusin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Temë e bisedës ishin edhe dy samitet e liderëve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbajtura këtë muaj në Tiranë dhe në Vjenë.
Takimi me Kamberin është në vazhdën e takimeve që kryeministri Kurti mban me përfaqësuesit e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit për ruajtjen e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit për avancimin e të drejtave të shqiptarëve.