Kurti takohet me kryediplomatin e Singaporit, flasin për bashkëpunimin mes dy vendeve
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në New York pati ka apsur një takim dypalësh me Ministrin e Punëve të Jashtme të Singaporit, Vivian Balakrishnan.
Bashkë diskutuan për mundësitë që do të rrisnin shkëmbimet dhe ndërveprimet tregtare, ekonomike, kulturore dhe të përvojave ndërmjet dy vendeve, ka njoftuar Zyra e kryeministrit përmes një komunikate.
“Në veçanti biseduan rreth Nismës së Kombit të Mençur (Smart Nation Initiative) të Singaporit, që synon transformimin e vendit përmes integrimit të teknologjisë digjitale në sektorë të ndryshëm dhe themelimit të Fondit Sovran në Kosovë që do të forcojë ndërmarrjet publike të vendit duke i shndërruar ato në korporata të fuqishme që i kontribuojnë ekonomisë, dhe për mënyrat se si mund të përfitojmë nga shkëmbimi i përvojave në jetësimin e këtyre dy projekteve të mëdha”.
“Kryeministri falënderoi Republikën e Singaporit për mbështetjen e dhënë që prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në vitin 2016, dhe theksoi rolin e rëndësishëm që Singapori mund të luaj për Kosovën në zgjerimin e bashkëpunimit dhe raporteve me vendet e Azisë juglindore”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.