Kurti takohet me kryeparlamentaren e Shqipërisë: Kosova, e vendosur për ta zbatuar planin evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë ku ka takuar krerët e shtetit shqiptar.
Fillimisht, ai është takuar me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj. Në fokus të diskutimeve, siç pritej, ishte takimi i 18 marsit në Ohër.
Pas Begajt, Kurti është nisur në këmbë drejt Kryesisë së Kuvendit. Atje, Kurti ka takuar kryeparlamentaren Lindita Nikolla. Kjo e fundit ka thënë se Shqipëria mbështet dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë si rruga më e mirë dhe e vetme drejt njohjes së ndërsjellë mes dy vendeve.
“Vlerësojmë planin evropian si një pikënisje e mirë për dialogun dhe mbështesim angazhimin e BE-së dhe ShBA-së në zbatimin e aneksit të këtij plani. Zbatimi i marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë do të kontribuojë në forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën e tij euroatlantike”, ka thënë Nikolla.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti, ka falënderuar kryetaren Lindita Nikolla për mbështetjen institucionale të bashkëpunimit dypalësh.
Më tutje, Kurti ka vënë në dukje vendosmërinë e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës për avancimin e dialogut me Serbinë dhe zbatimin e planit evropian, duke respektuar Kushtetutën e Kosovës dhe duke bashkëpunuar ngushtë me BE-në dhe ShBA-në.