Kurti takohet me përfaqësuesit e Komitetit Paralimpik të Kosovës (foto)

17 nëntor 2023 | 16:52

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani ka pritur të premten në takim përfaqësues të Komitetit Paralimpik të Kosovës.

Kurti u ka shprehur mirëseardhje të pranishmëve në këtë takim, në të cilin diskutuan për pjesëmarrjen e parë të Kosovës në lojërat Paralimpike që mbahen në vitin e ardhshëm në Paris, e ku Kosova do të shënojë debutimin e parë pjesëmarrës në Lojëra Paralimpike.

Me këtë rast, është bërë me dije se kryeministri e ka përgëzuar Komitetin Paralimpik të Kosovës për angazhimin dhe rezultatet e tyre të deritanishëm që tani po ia mundësojnë përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë të garave ndërkombëtare.

“Pas një rrugëtimi të gjatë të ekzistencës së KPK, në pjesën e dytë të vitit 2023 KPK është anëtarësuar me të drejta të plota në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar dhe Komitetin Paralimpik Evropian. Ky sukses është edhe rezultat i rritjes së mbështetjes financiare të KPK-së në vitin 2022 me rastin e vitit të personave me aftësi të kufizuara. Në krahasim me vitin paraprak (2021), buxheti i KPK në vitin 2022 ishte rritur për gjashtëfish më shumë dhe po kjo mbështetje ka vazhduar edhe vitin 2023”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Sipas këtij njoftimi, përfaqësuesit e Komitetit Paralimpik të Kosovës e kanë falënderuar kryeministrin dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për mbështetjen që po i japin sportit në përgjithësi.

Në Lojërat Paralimpike Paris 2024, Kosova do të marrë pjesë me dy parasportistë në sportin e atletikës: Grevist  Bytyçi – në vrapim, Vjollca Hoxha – në vrapim me karrocë. Ata janë licencuar për pjesëmarrje në këto lojëra dhe do të garojnë në disa gara kualifikuese për normë paralimpike, në mënyrë që të fitojnë përvojën e duhur dhe të përgatiten sa më mirë.

Për përgatitjen e këtyre sportistëve dhe trajnerëve të tyre për të përfaqësuar Kosovën në Paris 2024, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi të veçantë me Komitetin Paralimpik të Kosovës, në vlerë mbi 40 mijë euro.

     

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se buxheti i…