Kurti takohet me sekretaren zvicerane të shtetit, bisedojnë për zhvillimet e fundit në veri

16 qershor 2023 | 13:15

Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Prespës, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me Livia Leu, sekretare e shtetit të Federatës së Zvicrës.

Kryeministri Kurti dhe sekretarja Leu, kanë biseduar për raportet në mes të dy shteteve, gjegjësisht marrëdhënieve të shkëlqyeshme bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.

Me këtë rast, kryeministri Kurti ka shprehur falënderimin e tij për përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës.

Në takim është vlerësuar roli i rëndësishëm i mërgatës shqiptare në Zvicër, si urë lidhëse ndërmjet dy shteteve dhe mundësinë që ajo paraqet për zhvillimin ekonomik të vendit.

Lidhur me situatën aktuale në vend, kryeministri Kurti ka ritheksuar kërkesën për lirim të menjëhershëm të tre policëve të rrëmbyer, pasi  sipas tij ky veprim është një akt i agresionit të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, teksa përsëriti nevojën për deeskalim dhe normalizim të situatës.

Në këtë drejtim, kryeministri Kurti ka nënvizuar propozimin e tij për deeskalim të situatës në katër komunat në veri të Republikës së Kosovës, të paraqitur ditën e hënë dhe nevojën për zbatim të plotë, të shpejtë dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes bazike dhe aneksit të saj.

Më tutje, duke falënderuar Agjencinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Zvicrës, kryeministri Kurti, ka thënë se komunat ende kanë nevojë për zhvillim dhe njëkohësisht kërkoi që të ketë edhe më shumë mbështetje në vazhdimësi.

Gjithashtu, Kurti ka falënderuar Zvicrën për kontributin në KFOR nëpërmjet Swisscoy.

Në takim, ishte i pranishëm ambasadori i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhuli ishte njëra nga banoret më të komentuara të edicionit…