Kurti takohet me shefin e ri të BE-së në Kosovë, ja për çfarë biseduan
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim shefin e ri të Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së bazuar në vlerat e përbashkëta dhe avancimin e lirive themelore.
Në këtë takim të parë ndërmjet tyre, kryeministri Kurti i ka uruar mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Orav dhe i ka ofruar bashkëpunim të afërt në avancimin e agjendës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian.
Ai theksuar se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian në mesin e dhjetorit të vitit 2022 dhe është e përkushtuar për t’i kryer reformat e nevojshme për anëtarësim.
“Plani i Rritjes së BE-së është përgjigja e duhur për të përshpejtuar reformat dhe Kosova është ndër vendet e para në rajon e cila ka dorëzuar agjendën e reformave. Kurti foli për rezultatet e qeverisjes në këto gati tre vjet e gjysmë, për avancimin në indekset e demokracinë e sundimin e ligjit dhe të zhvillimit ekonomik si dhe për programet e reja sociale për nënat lehona dhe fëmijët. Tutje, Kurti e falënderoi ambasadorin Orav për ndihmën dhe kontributin e BE-së dhe i ofroi bashkëpunim të plotë në avancimin e agjendës për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.