Kurti takohet me zyrtaren e lartë amerikane, ja për çfarë biseduan
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në zyrën e vet zyrtaren e lartë të Departamentit të Shtetit Amerikan, Molly Montogomery.
Zëvendësndihmësja e sekretarit të Shtetit, Molly Montgomery në këtë takim me Kurtin ka theksuar marrëdhënien ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Kosovën, e veçanërisht lidhjen e fortë personale që presidenti Biden ka me Kosovën.
Në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ajo ka falënderuar kryeministrin Kurti dhe Qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin dhe mbështetjen në çështjen e strehimit të qytetarëve afganë.
Ndërsa kryeministri Kurti ka deklaruar se kjo ndihmë ishte obligim humanitar i Kosovës, duke shtuar se Kosova dëshiron t’i qëndrojë në krah ShBA-së, si aleat strategjik.
Kurti e ka falënderuar ShBA-në për mbështetjen e dhënë për Forcën e Sigurisë së Kosovës për pajisje dhe trajnime, si dhe ka shprehur vullnetin për bashkëpunim të mëtejmë. Po ashtu, ai e ka njoftuar zyrtaren amerikane për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, ku përfshihet edhe ndarja e mbi 100 milionë eurove për ushtrinë.
Siç ka njoftuar zyra për media e kryeministrit, Kurti ka shprehur mirënjohje për vlerësimin e presidentit Biden, që vazhdimi i bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe arritja e një marrëveshjeje duhet përqendruar në njohjen reciproke.
Gjithashtu, në këtë takim është biseduar edhe për situatën e mirë në menaxhimin e pandemisë Covid-19, mbarëvajtjen e procesit të vaksinimit dhe administrimin e rreth 1.6 milionë dozave.
Me këtë rast, kryeministri Kurti ka falënderuar ShBA-në për ndihmën në procesin e sigurimit të vaksinave kundër Covid-19.
Duke ritheksuar aleancën e palëkundur me ShBA-në, kryeministri Kurti ka shprehur përkushtimin e qeverisë për të zgjeruar bashkëpunimin edhe më tej në fushën e edukimit, agrikulturës dhe investimeve.