Kurti takohet në Paris me zëvendëspresidenten e ShBA-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris është takuar me përfaqësues të shteteve të ndryshme.
Në mesin e këtyre përfaqësuesve Kurti është takuar edhe me zëvendëspresidenten e ShBA-së, Kamala Harris.
“Dje dhe sot po marrë pjesë në Forumin e Parisit për Paqe. Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë e Francës, Brigitte Marie-Claude Macron, mbrëmë na pritën për një darkë solemne në Pallatin Elysee, ku bashkë me gruan time Ritën, patëm nderin dhe kënaqësinë të takohemi me zëvendëspresidenten e ShBA-së, znj. Kamala Harris, dhe bashkëshortin e saj, Douglas Emhoff. Takime e biseda zhvilluam edhe me liderë të ndryshëm nga rajoni dhe bota. Në Paris po diskutojmë për bashkëpunim dhe paqe me presidentët Gjukanoviq e Komshiq e deri te presidenti i Këshillit Evropian, z. Charles Michel e zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, z. Josep Borrell”, ka shkruar Kurti në llogarinë e vet në “Facebook”.