Kurti takohet me politikanin serb që e njeh pavarësinë e Kosovës
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është takuar në Prishtinë me politikanin serb, Çedomir Jovanoviq.
Kurti përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka tregur se me Jovanoviqin diskutuan për raportet midis Kosovës e Serbisë, zhvillimet politike dhe gjendjet socio-ekonomike në të dyja vendet, situatën në rajon dhe sfidat e integrimit evropian.
“Biseduam edhe për të kaluarën, për lëvizjet studentore, luftërat në ish Jugosllavi dhe plagët e hapura në Ballkan. Çedomir Jovanoviq ka luajtur rol vendimtar në dërgimin e Milosheviqit në Hagë, si dhe në arrestimin fillestar të Jovica Stanishiqit dhe Frenki Simatoviqit”, ka shkruar Kurti.
Çedomir Jovanoviq është ndër politikanët e rrallë në Beograd i cili haptazi e thotë se Kosova është e pavarur dhe se shteti serb duhet ta pranojë këtë fakt.