Kurti takoi drejtuesit e Limak dhe Çalik Holding, shqyrtojnë mundësitë për investime në energji dhe infrastrukturë
Mundësitë për investime në energji dhe infrastrukturë ishin në qendër të takimit të Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti me drejtuesit e Limak Holding dhe Çalik Holding.
Kryeministri Kurti, i shoqëruar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe shefi i stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, takuan sot Nihat Özdemir, themelues i Limak Holding, dhe Ahmet Çalik, themelues i Çalik Holding, së bashku me përfaqësues nga kompanitë e tyre përkatëse, duke përfshirë Kompaninë e Shërbimit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Bankën BKT.
“Diskutimet u përqendruan rreth eksplorimit të mundësive për investime në fushën e energjisë dhe infrastrukturës brenda Kosovës. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e investimeve të huaja në përmirësimin e këtyre sektorëve’, njofton Zyra e Kryeministrit.
Takimi, i cili u zhvillua në Zyrën e Kryeministrit, u karakterizua me frymë bashkëpunimi dhe përkushtim të përbashkët për nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë.
Gjatë diskutimeve, Özdemir dhe Çalik shprehën interesimin e tyre për investime të mundshme që mund të kontribuojnë në përparimin ekonomik të Kosovës. Ata theksuan ekspertizën e kompanive të tyre në projektet e energjisë dhe infrastrukturës, duke përfshirë energjinë e ripërtëritshme.
Kryeministri Kurti ritheksoi zotimin e institucioneve të Kosovës për të krijuar kushte të favorshme, konkurrencë të barabartë dhe transparencë për investitorët e huaj.