Kurti takoi mërgatën tonë në Irlandë
Me të filluar vizitën e tij të parë zyrtare në Irlandë, kryeministri Albin Kurti, takoi e bashkëbisedoi me mërgatën tonë.
Ky takim i parë me diasporën tonë atje, u karakterizua nga diskutime për shtetin, për të tashmen e të ardhmen.
Kryeministri Kurti theksoi se diaspora jonë janë ambasadorët tanë më të mirë, që shpërfaqin atë se çfarë përfaqëson Kosova, vlerat unike dhe zellin e punës.
“U trajtuan në hollësi programet, planet e objektivat e Qeverisë, të cilat synojnë kthimin e trurit dhe bashkatdhetarëve tanë në atdhe. Diaspora ka kontribuar e vijon të kontribuojë për Kosovën, dhe si Qeveri e kemi obligim që ta vendosim mërgatën në pozicion më të volitshëm e të eksplorojmë format e mundësitë për bashkëpunim. Mes shumë iniciativash, kryeministri përmendi edhe Fondin Sovran. Duke shprehur ngazëllimin e mirënjohjen e thellë për të gjithë pjesëmarrësit, për diasporën tonë dhe për dashurinë e tyre për Kosovën, kryeministri Kurti i falënderoi ata për bisedat e frytshme e produktive”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.