Kurti takoi ministrin finlandez, flasin për dialogun

01 tetor 2019 | 11:37

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka takuar delegacionin shtetëror nga Finlanda të udhëhequr nga ministri i Punëve të Jashtme të Finlandës, Pekka Haavisto.

Sipas njoftimit të LV-së, në këtë takim është diskutuar rreth dialogut me Serbinë, kundërshtimit që Vetëvendosje po bën ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit territorial dhe ndikimit rus në rajon.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, kryetari Kurti theksoi se para së gjithash, duhet të kemi dialog demokratik nga poshtë-lart, me të gjitha pakicat, për temat sociale dhe ekonomike, nëpërmjet të cilave do të realizohet integrimi i tyre në shoqërinë dhe ekonominë e vendit, përveçse në institucione. Përtej kësaj, për çfarëdo dialogu, duhet t’i respektojmë tri parime: 1. Nuk do të ketë marrëveshje pa dialog, 2. Dialogu të orientohet rreth të drejtave të qytetarëve e jo mbi shkëmbimin territorial, dhe, 3. Mbi harta, jo presidentet e dy shteteve, por ekspertët. Gjithashtu, ai potencoi se Lëvizja Vetëvendosje gjithmonë do të mbrojë sovranitetin territorial të Republikës së Kosovës dhe asnjëherë nuk do të lejojë që disa individë të vendosin për fatin e një populli”, është thënë në njoftimin e Vetëvendosjes të publikuar në  “Facebook”.

Delegacioni i Lëvizjes Vetëvendosje ka vlerësuar mbështetjen që Finlanda i ka dhënë Kosovës në faza të ndryshme, veçanërisht në mbrojtjen e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Ndërkohë ministri finlandez Haavisto ka treguar qëndrimin pozitiv të Finlandës për procesin e integrimeve evropiane të Kosovës duke theksuar rëndësinë e madhe të diasporës shqiptare në Finlandë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Së paku 11 policë janë vrarë nga një sulm i…