Kurti takoi presidentin e fondacionit ‘Zoja e Këshillit të mirë’
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka takuar presidentin e Fondacionit “Zoja e Këshillit të mirë”, At Ruggero Valentini, i cili e viziton Kosovën për herë të parë.
Gjatë takimit është prezantuar veprimtaria e gjatë e këtij fondacioni në Tiranë, të cilët kanë themeluar Universitetin dhe Spitalin me të njëjtin emër. Gjatë vitit 1999, ky fondacion ka strehuar dhe mbështetur 1 000 refugjatë nga Kosova.
U diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e edukimit dhe arsimimit, shëndetësisë dhe kulturës. Në mes tjerash u theksua rëndësia e bashkëpunimit në ndërlidhjen e arsimit me sektorin e ekonomisë, me qëllim krijimin e kuadrove profesionale të përgatitura për kërkesat e tregut.
Gjatë vizitës së tij, At Ruggero Valentini ka zhvilluar takime edhe me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.