Kurti takoi profesorë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Nepali, Sri Lanka, Bangladeshi, India dhe Maldivet
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mirëpritur një delegacion të përbërë nga profesorë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga Nepali, Sri Lanka, Bangladeshi, India dhe Maldivet.
Ai i ka njoftuar ata mbi zhvillimet e fundit në vend, karakteristikat që e veçojnë Republikën e Kosovës dhe shoqërinë e saj, politikat dhe orientimin e qartë euroatlantik dhe rezultatet e qeverisjes në ekonomi, reforma institucionale dhe demokraci.
Kryeministri Kurti ka veçuar suksesin e masave të punësimit, rritjen e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, investimet në arsim dhe bujqësi, përmirësimin në sundimin e ligjit, dhe stabilitetin institucional, të cilin ai e cilësoi se infrastrukturë politike për rritje ekonomike dhe progres demokratik që ka shënuar vendi ynë në këto gati katër vjet.
Ai ka thënë se Kosova është shembull se dinjiteti njerëzor, të drejtat e njeriut, pluralizmi politik dhe sundimi i ligjit përputhen dhe mundësojnë rritjen ekonomike dhe zhvillimin e vendit.
Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri Kurti u është përgjigjur pyetjeve të ndryshme nga pjesëmarrësit, teksa bashkë diskutuan edhe rreth mundësive të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave të vendeve të tyre dhe të Kosovës në fushën e bujqësisë, edukimit, energjisë dhe infrastrukturës.
Duke u dëshiruar qëndrim të mbarë e takime të frytshme në Kosovë, kryeministri i ka falënderuar të pranishmit për vizitën, diskutimin dhe interesimin për vendin tonë.