Kurti takon ambasadorët, i njofton për masat dhe pakon fiskale

12 prill 2020 | 08:29

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, kanë mbajtur dje tri takime të ndara me ambasadorë të korit diplomatik në Republikën e Kosovës. Fillimisht ai u takua me ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, përkatësisht me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Philip Kosnett, ambasadorin e Gjermanisë, z. Christian Heldt, ambasadoren e Francës, znj. Marie-Chrisitine Butel, ambasadorin e Britanisë së Madhe, z. Nicholas Abbott, ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando, dhe Përfaqësuesen e Posaçme të Bashkimit Evropian në Kosovë, znj. Nataliya Apostolova.

Më pas, në një takim të përbashkët pritën ambasadorin e Austrisë, z. Christoph Weidinger, shefin e zyrës diplomatike të Belgjikës, z. Jean-Louis Servais, ambasadoren e Finlandës, znj. Pia Stjernvall, ambasadoren e Holandës, znj. Garrie Willems, ambasadorin e Norvegjisë, z. Jens Erik Grøndah dhe ambasadorin e Zvicrës, z. Jean-Hubert Lebet. Në fund, kryeministri në detyrë, z. Kurti dhe ministri në detyrë i Ministrisë së Financave dhe Transfereve, z. Bislimi, pritën edhe ambasadorin e Bullgarisë, z. Hristo Gudjev, ambasadoren e Kroacisë, znj. Danijela Barišić, ambasadorin e Republikës Çeke, z. Pavel Bílek dhe ambasadorin e Turqisë, z. Çağrı Şakar.

Në këto tre takime kryeministri në detyrë i njoftoi ambasadorët mbi situatën në vend pas përhapjes së virusit COVID-19 dhe masat e ndërmarra deri më tani nga qeveria. Theks i veçantë u vë mbi pakon fiskale emergjente të hartuar nga qeveria në detyrë. Ambasadorët dhanë vlerësimet e tyre pozitive për punën e qeverisë dhe institucioneve të Republikës së Kosovës në ballafaqimin me pandeminë COVID 19, në të njëjtën kohë shprehën gatishmërinë dhe vullnetin për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në çfarëdo forme. Kryeministri në detyrë, Kurti, shprehu falënderimet dhe mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që komuniteti ndërkombëtar po i jep Kosovës për menaxhimin dhe tejkalimin e kësaj sfide të përbashkët, është shkruar në komunikatën e Zyrës për Media të kryeministrit në detyrë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”, numri i personave…