Kurti takon ambasadorin e Suedisë, bisedojnë për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Kryeministri Albin Kurti, ka pritur të martën në takim ambasadorin e Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, shefin e SIDA-s, Henrik Riby dhe përfaqësuesin e organizatës Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave, Naim Rashiti.
Kurti e ka uruar ambasadorin Westerlund për fillimin e mbarë të anëtarësisë së Suedisë në NATO, ndërkohë ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në po këtë organizatë mbetet synim i qartë dhe angazhim i vazhdueshëm i institucioneve të Republikës së Kosovës.
Kryeministri e ka falënderuar ambasadorin për përkrahjen ndaj Kosovës në procesin e integrimeve evropiane dhe për ndihmën e dhënë për shumë projekte zhvillimore, e përfshirë këtu projektin “Ndërtimi i paqes dhe avancimi i agjendës evropiane”, që menaxhohet nga Grupi Ballkanik për Hulumtim të Politikave/BPRG, e i cili mbështet një numër ekspertësh ndërkombëtarë e vendorë.