Kurti takon ambasadorin italian, diskutojnë për pandeminë Covid-19
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur sot në një takim pune në zyrën e tij ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando.
Sipas njoftimit të Qeverisë, takimi kishte për theks diskutimin mbi pandeminë Covid-19.
“Ambasadori Orlando bëri thirrje që qytetarët të vazhdojnë të respektojnë vendimet dhe masat e Qeverisë, njejtë sikurse udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë, duke theksuar se institucionet përgjegjëse kanë bërë një punë të mirë në menaxhimin e përhapjes së infektimit. Ai po ashtu e njoftoi kryeministrin për veprimet që Italia po ndërmerr për ta ndihmuar Republikën e Kosovës në këtë drejtim”, bëhet me dije në këtë njoftim.
Në anën tjetër kryeministri në detyrë Kurti, e ka njoftuar ambasadorin Orlando rreth hartimit të një fushate vetëdijësuese për Covid-19.
“Informimi rreth përhapjes, formave të parandalimit të përhapjes, dhe pasojave të virusit nuk është asnjëherë i mjaftueshëm. Tutje, Kryeministri në detyrë gjithashtu foli edhe për kujdesin që Qeveria ka treguar ndaj shëndetit të ekonomisë, përpos atij publik. Pas hartimit dhe zbatimit të Pakos Emergjente Fiskale, Qeveria e Republikës së Kosovës ka filluar diskutimin gjithëpërfshirës për hartimin e pakos së dytë, atë të rimëkëmbjes se ekonomisë”.
“Fakti se kemi bërë menaxhim të mirë deri sot dhe kemi shënuar fitore në beteja nuk duhet të na shpërqendrojë nga objektivi për të fituar luftën kundër virusit. Vëmendja duhet të vazhdojë të jetë e lartë aq sa edhe përgjegjësia e të gjithëve për aq kohë sa virusi është në mesin tonë”, theksohet në njoftimin e Qeverisë.
(Q.R / Epoka e re)