Kurti takon drejtuesit e Shoqatës së Muhaxhirëve
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Sekretariatit për marrëdhënie me jashtë, Tropikë Agaj, ka pritur në takim një delegacion nga Shoqata e Muhaxhirëve të kryesuar nga kryetari i saj, Asllan Qyqalla, nënkryetarja Esma Bunjaku dhe sekretari Orhan Ramadani.
Në këtë takim, Qyqalla e ka uruar kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe i ka dëshiruar sukses në qeverisjen e vendit.
Më tutje, në këtë takim, Qyqalla ka njoftuar Kurtin për punën e Shoqatës së Muhaxhirëve, e cila është duke mbledhur fakte për dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në fund të viteve të ’70 të shekullit XIX.
“Për terrorin, masakrat dhe spastrimin e 712 fshatrave shqiptare nga rrethi i Nishit, Prokupljes, Leskovcit dhe Vranjës deri në Kurshumli, me synimin për ta paditë Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg për gjenocid dhe kompensim të pronave”, ka njoftuar Vetëvendosje.
Sipas këtij njoftimi, kryetari Kurti, ka thënë se mbledhja e fakteve dhe paraqitja e tyre nëpër instanca shkencore të instituteve e konferencave ndërkombëtare, por edhe në instanca të drejtësisë ndërkombëtare është diçka që duhet mbështetur.
Në këtë drejtim, ata janë dakorduar të bashkëpunojmë në të ardhmen, në mënyrë që të krijojmë mundësi për sensibilizimin e opinionit mbi muhaxhirët, si dhe t’i shtojmë nismat institucionale si për ruajtjen e fakteve historike të grumbulluara, ashtu edhe për paraqitjen e tyre të mëtejme.
/Epoka e re/