Kurti takon fëmijët me sindromën down, zotohet se nuk do t’i lë vetëm
Në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Sindromën Down, Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim drejtoreshën ekzekutive të Shoqatës “Down Syndrome Kosova”, Sabahate Hajdini-Beqiri, së bashku me bashkëpunëtorë, prindër e fëmijë të shoqatës.
Kryeministri e ka përgëzuar Hajdini-Beqirin dhe bashkëpunëtorët për angazhimin dhe përkushtimin për të ndihmuar këtë kategori të ndjeshme të shoqërisë.
Ai ka ritheksuar zotimin e qeverisë dhe të institucioneve të Kosovës se nuk do t’i lënë vetëm në përpjekjet për tejkalimin e paragjykimeve dhe ofrimin e ndihmës e trajtimit dinjitoz për fëmijët e prekur nga sindroma down.
Ndërsa Sabahate Hajdini-Beqiri e ka njoftuar kryeministrin Kurti për aktivitetet dhe vështirësitë që i ka shoqata në ofrimin e shërbimeve për fëmijët me sindromën down.
Ajo ka thënë se shoqata ka të regjistruar mbi 980 persona dhe ka qendrat në Prishtinë, Ferizaj, Mitrovicë dhe Prizren. Në këto qendra, ajo ka bërë me dije se marrin shërbime 300 fëmijë.
Më tutje, ajo ka thënë se planifikojnë të hapin edhe qendrat në Pejë, Gjakovë dhe Gjilan.
Në bashkëpunim me “Down Syndrome Albania”, Hajdini-Beqiri ka treguar se kanë përpiluar abetaren e cila u shërben nxënie të shkronjave fëmijëve me sindromë.
Ajo është shprehur e brengosur me numrin gjithnjë e në rritje të fëmijëve që po lindin me sindromën down, që arrin shifrat 35 deri në 40 në vit. Në këtë kontekst, ajo ka kërkuar bashkëpunim edhe më të ngushtë të institucioneve me shoqatën.
Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili ka folur për fillimin e zbatimit të masës për punësim të personave me nevoja të veçanta, gjë që është mirëpritur nga udhëheqësja e shoqatës.
Qeveria e Kosovës e ka shpallur vitin 2022 vit të personave me aftësi të kufizuara dhe ka paraparë veprime dhe aktivitete që synojnë ofrimin dhe përmirësimin e shërbimeve për personat me nevoja të veçanta, siç janë personat me sindromën down.