Kurti takon komandantin e KFOR-it, flasin për bashkërendim të veprimeve
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të mërkurën në takim komandantin e KFOR-it në Kosovë, gjeneralmajor Ferenc Kajari.
Kurti ka falënderuar komandantin Kajari për kontributin e KFOR-it për të ruajtur paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Republikën e Kosovës.
Ai ka ritheksuar gatishmërinë e tij dhe të qeverisë për komunikim, bashkëpunim e bashkërendim të veprimeve ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it, në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Kryeministri ka shprehur përkushtimin institucional për luftimin e krimit dhe korrupsionit dhe sundimin e ligjit, si prioritete të qeverisjes.
Ndërsa gjeneralmajor Kajari ka përgëzuar ministrin e MPB-së, Xhelal Sveçla për angazhimin dhe profesionalizmin e lartë që po tregon Policia e Kosovës në shërbim të qytetarëve.