Kurti takon kongresistin amerikan, bisedojnë për rritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës së tij në ShBA ka takuar kongresistin Bill Keating.
Kongresisti Keating është anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin amerikan dhe i Komitetit për Shërbimin e Armatosur.
Sipas zyrës së kryeministrit, Kurti në bashkëbisedim me kongresistin n ka folur për të arriturat e qeverisë së tij dhe rritjen e përkrahjes për buxhetin e FSK-së.
“Kryeministri Kurti e ka falënderuar kongresistin për kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën në të gjitha periudhat e shtetndërtimit. Duke folur për të arriturat njëvjeçare të qeverisë, kryeministri Kurti, ka theksuar reformat në fushën e sundimit të ligjit, angazhimin e pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, që kanë ndikuar në ngritjen për 17 vende të pozitës së Kosovës në indeksin global të Transparency International, rritjen dyshifrore ekonomike, rritjen e të hyrave doganore dhe të investimeve të huaja direkte. Ndër prioritetet e qeverisë, kryeministri ka theksuar rritjen e përkrahjes dhe të buxhetit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Përkrahja e Forcës së Sigurisë, sipas kryeministrit, është e domosdoshme në mënyrë që vendi ynë të ketë ushtri të mirëtrajnuar e të pajisur sipas standardeve të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s, të jetë e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin global”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.
Kurti ka vlerësuar kontributin e madh të ShBA-së në ngritjen e kapaciteteve të FSK-së.
“Vitin e kaluar kishim 330 ushtarë të ushtrisë sonë që morën pjesë në ‘Defender Europe 21’, që ishte ndërmarrja më e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë, ndërsa FSK-ja u bë pjesë e misionit paqeruajtës të ushtrisë amerikane në Kuvajt, tha kryeministri Kurti. Ai e vlerësoi kontributin e madh të ShBA-së për ngritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe shprehu përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik dhe të bashkëpunimit me ShBA-në, si miku dhe aleati më i madh i shtetit dhe popullit të Kosovës”, ka njoftuar zyra e Kurtit.