Kurti takon Koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Kosovë
Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim Koordinatoren Rezidente të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence.
Kjo e fundit e ka përgëzuar Kurtin dhe Qeverinë e Kosovës për faktin se janë mes 23 vendeve nga 130 që kanë regjistruar zotimet e tyre për Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (SDG) në platformën elektronike të OKB-së, njofton Qeveria e Kosovës.
“Duke biseduar për zotimet e Kosovës, u theksua angazhimi i qeverisë për të përshpejtuar përmbushjen e premtimit për zhvillim të qëndrueshëm dhe realizimin e Agjendës 2030. U ritheksuan zotimet transformuese të Qeverisë që do të fokusohen në katër prioritetet kryesore të politikave: për të zvogëluar shkallën e varfërisë, për të rritur kapacitetin e energjisë së ripërtëritshme, për transformim digjital, si dhe ndërmarrjen e reformave të rëndësishme në sistemin arsimor”, është theksuar në njoftimin e Qeverisë.
Më tej është thënë se: “Duke vlerësuar lart bashkëpunimin e deritanishëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës me UNKT, u ritheksua gatishmëria për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi. U diskutuan mënyrat konkrete të angazhimit të përbashkët të agjencive të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe Qeverisë”.