Kurti takon kryeministrin lituanez, flasin për situatën e sigurisë dhe integrim evropian

21 janar 2025 | 21:24

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në margjina të Forumit Ekonomik Botëror në Davos, ka takuar kryeministrin e Lituanisë, Gintautas Paluckas.

Kryeministri shprehu më edhe falënderimin ndaj shtetit mik të Lituanisë për mbështetjen ndaj Kosovës, veçanërisht në fushën e sigurisë, përmes kontributit në misionin e KFOR-it dhe EULEX-it, bashkë edhe me përkrahjen ndaj vendit tonë në aspiratat për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Gjersa e falënderoi për mbështetjen në procesin e integrimit evropian dhe për përpjekjet tona për përparim në këtë rrugëtim, Kryeministri ceku edhe se, Kosova tashmë ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe nevojiten hapa të rëndësishëm tutje, thuhet në njoftimi nga Zyra e Kryeministrit.

Më tej, ai e njoftoi kryeministrin Paluckas me rritjen ekonomike e avancimin demokratik, që ka njohur Kosova në katër vitet e fundit, dëshmuar edhe nga rankimet e larta e pozitive të vendit tonë në indekse ndërkombëtare.

Në takim u diskutua dhe mbi gjeopolitikën dhe situatën e sigurisë në rajon dhe Evropë dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.

Me këtë rast, kryeministri Kurti shprehu dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe theksoi që Republika e Kosovës është rreshtuar me partnerët ndërkombëtarë në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Kryeministri Kurti e falënderoi Kryeministrin Paluckas për takimin dhe bisedën në shërbim të thellimit e fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve e bashkëpunimit dypalësh, thuhet në njoftim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së z. Ramush Haradinaj sot ka takuar Kongresmenin…