Kurti takon kryetarin e Preshevës, i premton mbështetje për Luginën

15 tetor 2019 | 14:01

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Albin Kurti, ka mirëpritur një delegacion nga Lugina e Preshevës të kryesuar nga kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, nënkryetari i kësaj komune, Armend Aliu, kryetari i Degës së Alternativës për Ndryshim në Bujanoc, Arben Pajaziti dhe shefi i Zyrës për të Rinj në Preshevë, Altin Boriçi.

Me këtë rast, Arifi e ka uruar kryetarin Kurti për rezultatin zgjedhor dhe për mbarëvajtjen e drejtë dhe të rregullt të gjithë procesit.

Sipas tij, pjesëmarrja kaq e madhe e qytetarëve të Republikës së Kosovës në këto zgjedhje tregon se interesimi për politikën dhe besimi për ndryshime janë në rritje dhe se kjo është një gjë e mirë si për Kosovën ashtu edhe për gjithë shqiptarët.

Kryetari Kurti ka falënderuar për vizitën dhe urimet.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të angazhohen më shumë për shqiptarët, e bashkërisht të bëjnë më shumë për ta, sidomos në Luginë, me qëllim që të rritet punësimi e të bie emigrimi, të shtohet cilësia në arsim e të realizohen të drejtat kombëtare e njerëzore.

Fitorja e Lëvizjes i ka dhënë një kuptim përpjekjeve historike të shqiptarëve për një politikë barazimtare me dinjitet dhe kjo tashmë po ndihet gjithandej.

/Epoka e re/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokurori i Shtetit ka njoftuar se nuk ka pranuar ende…