Kurti takon Lajçakun, diskutojnë për dialogun
Në kuadër të Forumit Ekonomik të Delfit, kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak.
Kurti ka folur për angazhimin në një vit qeverisje dhe rikonfirmoi, që integrimet evropiane dhe euroatlantike nuk kanë alternativë.
Ai ka potencuar domosdoshmërinë e ndihmës së Bashkimit Evropian në këtë rrugëtim.
Zyra për informim e Qeverisë së Kosovës ka bërë me dije se në takim u bisedua për mbarëvajtjen e procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm në këtë proces.
Kryeministri Kurti ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar për dialog parimor e të balancuar.
Ai ka ritheksuar se nga ky dialog duhet të përfitojnë qytetarët e të dyja vendeve, nëpërmjet një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të zbatueshme, që në qendër ka njohjen reciproke.
“U bisedua edhe për çështjen e targave të automjeteve midis Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri veçoi faktin se jemi dy javë larg afatit për marrëveshje për këtë çështje, bazuar në standardet dhe praktikat aktuale më të mira të Bashkimit Evropian”, ka njoftuar Qeveria.
Duke e falënderuar për angazhimin dhe mbështetjen e Bashkimit Evropian për dialogun, kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohjen për kontributin, që po e japin edhe sa i përket raportit midis Kosovës dhe Serbisë, paqen e qëndrueshme, stabilitetin afatgjatë dhe sigurinë rajonale.
“Në takim, gjithashtu u diskutua për invazionin dhe agresionin e paprovokuar ushtarak rus në Ukrainë dhe ndikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Evropë”, ka njoftuar Qeveria e Kosovës.