Kurti takon ministrin Luksemburgut, pritet intensifikim i raporteve mes dy vendeve

04 prill 2022 | 14:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur në takim ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, njëherësh ministër i Ekonomisë i Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Franz Fayot.

Sipas njoftimit për media thuhet se kryeministri ka shprehur mirënjohjen e Qeverisë për ndihmën dhe mbështetjen e dhënë në vazhdimësi nga shteti i Luksemburgut.

“Duke e falënderuar për kontributin në zhvillimin e Kosovës, kryeministri Kurti theksoi mundësitë e rritjes së mëtejme të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve. Ministri Fayot e përgëzoi kryeministrin Kurti për të arriturat në vitin e parë të mandatit qeverisës, për stabilitetin institucional dhe progresin në shumë fusha. Duke theksuar se ky progres është inkurajues, ai tha se si vend mik e partner i vjetër, shteti i Luksemburgut është i interesuar për të ndërmarrë hapa të mëtejmë drejt bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftimin për media.

Ministri Fayot ka shprehur interesimin për forcim të miqësisë, rritje të bashkëpunimit afat-mesëm dhe kalim nga perspektiva e zhvillimit, në partneritet të rregullt ndërmjet dy shteteve evropiane të barabarta.

Kurti foli për progresin në një vit qeverisje, për prioritetet e qeverisë si dhe për potencialin e bashkëpunimit në fushën e edukimit, digjitalizimit e transformimit e gjelbër.

Duke biseduar për tranzicionin energjetik dhe zhvillimin e kapaciteteve të reja energjetike të cilat ofrojnë siguri të furnizimit, kryeministri potencoi kapacitetet për energji të ripërtëritshme, me fokus të veçantë në atë diellore dhe të erës.

Kryeministri veçoi parkun e erës “Selac Windpark” me kapacitet prej 105 MW dhe 27 turbina, si dhe projektin “Solar4Kosovo” me kapacitet prej 70 MW, që njëherësh do të jetë një nga termocentralet më të mëdha diellore në Evropë, me sipërfaqe prej 69 mijë metër katror.

Kurti tha se digjitalizimi është një nga objektivat e programit qeverisës që parashihet të jetë pjesë e të gjitha fushave të qeverisjes.

“Nëpërmjet digjitalizimit synojmë që të rrisim transparencën, llogaridhënien dhe efikasitetin e qeverisjes dhe në të njëjtën kohë të përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, ka shtuar kryeministri.

U bisedua edhe për synimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth reformimit të Sistemit të Arsimit dhe Aftësimit Profesional dhe rolit që ka në plotësimin e hendekut të shkathtësive dhe potencialit për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot (e hënë) do të…