Kurti takon në Davos ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë

22 janar 2025 | 12:14

Dita e dytë në Davos e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka nisur me një takim bilateral në margjina të Forumit Ekonomik Botëror me ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide.

“Sot do ta kemi nënshkrimin e marrëveshjes për EFTA e cila është një arritje e madhe. Ne kemi patur rritje të konsiderueshme në katër vitet e fundit, 6 për qind të BPV-së mesatarisht, duke mos shkuar asnjëherë poshtë 4 për qind. Ne duam të vazhdojmë të rritemi por eksportet janë shumë të rëndësishme, e eksporti i të mirave dhe shërbimeve është i përfshirë tashmë në EFTA”, citohet të këtë thënë Kurti në fillim të takimit, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Më tutje, kryeministri Kurti e ka falënderuar shtetin e Norvegjisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës e veçanërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e rrugëtimin në procesin e integrimit evropian.

“Palët biseduan edhe rreth sfidave të përbashkëta të sigurisë e adresimit të tyre dhe rëndësisë së bashkërendimit. Kryeministri Kurti theksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, krahas linjëzimit të Kosovës me BE-në dhe shtetet anëtare në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjes së sanksioneve ndaj Rusisë”, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

Duke shprehur mirënjohjen për përkrahjen e Norvegjisë dhe bashkëpunimin e fuqishëm të dyanshëm, kryeministri e ka falënderuar ministrin Eide për bashkëbisedimin dhe shkëmbimin në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organet hetuese të Francës kanë lëshuar një urdhër arresti kundër…