Kurti takon shoqata dhe organizata shqiptare në Amerikë, u flet “për qeverisjen progresiste”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministren Gërvalla, zëvendësministren Gashi dhe konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York, Blerim Reka, kanë takuar mbrëmë organizata dhe shoqata shqiptare që veprojnë në SHBA.
Kurti u ka folur atyre për çështje ekonomike.
“Gjatë bashkëbisedimit me mërgatën, kryeministri Kurti i njoftoi nga afër për të arriturat dhe sukseset e Kosovës, duke theksuar rritjen ekonomike, demokratike e shoqërore. Ai shtoi se vendi ynë me një qeverisje progresiste, ka ngritur platforma që kanë siguruar më shumë vende të reja pune, edhe përmes iniciativave të qeverisë si platforma Superpuna. Ai përmendi edhe mbështetjen për gratë dhe vajzat, për punësimin dhe rritjen e bizneseve të tyre, duke shtuar rëndësinë e fuqizimit të grave brenda shoqërisë.”
Kurti iu tha atyre që buxheti i shtetit është rritur në mbrojtje, arsim, edukim, shëndetësi e bujqësi.
“Më tej, kryeministri foli edhe për të arriturat në eksportet dhe investimet, ndërsa potencoi se është rritur buxheti i shtetit dhe është investuar në fushat e sektorët kyç si mbrojtje, arsim, edukim, shëndetësi, bujqësi e teknologji.”
“Theksoi gjithashtu dhe sundimin e ligjit e luftimin e krimit dhe korrupsionit. Shtoi se bazuar edhe në raportet e organizatave ndërkombëtare, dëshmohet se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik e demokratik të shtetit. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për kontributin dhe rolin e mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë bashkëbisedimit, kryeministri ritheksoi vullnetin dhe gatishmërinë për të punuar krah për krah mërgatës, për progresin dhe zhvillimin tutje të Kosovës.”