Kurti takon specializantët e Luginës së Preshevës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të premten në takim kandidatët e regjistruar për shkollim specialistik në Republikën e Kosovës nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Këshilltarja e kryeministrit për Luginë, Ardita Sinani ka bërë me dije se gjatë këtij takimi, Kurti së bashku me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi dhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë shprehur mbështetje për shqiptarët e Luginës së Preshevës duke theksuar se janë duke trajtuar me seriozitet kërkesat dhe nevojat e shqiptarëve që ballafaqohen me diskriminimin shtetëror e sistematik në Serbi.
“Specializantët shfaqën mirënjohjen e tyre për adresimin e shkollimit specialistik dhe përkrahjen e vazhdueshme të dhënë nga qeveria”, ka shkruar Sinani në “Facebook”.
Ajo ka thënë se për vitin e ardhshëm buxheti për Luginën e Preshevës është paraparë të jetë tre milionë euro, një milion më shumë sesa ishte sivjet.