Kurti takon Ursula von der Leyen, e falënderon për mbështetjen e BE-së për vaksinat anti-Covid
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministren, njëherësh ministre për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Donika Gërvalla-Schwarz, gjatë ditës së sotme është pritur në takim nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Kryeministri Kurti falënderoi presidenten von der Leyen për mbështetjen e BE-së në ballafaqimin e Republikës së Kosovës me pandeminë Covid-19 nëpërmjet asistencës financiare dhe sigurimit të vaksinave nëpërmjet mekanizmit COVAX.
Ai falënderoi Komisionin e BE-së për përpjekjet për të siguruar dozat e reja të vaksinave sa më shpejt të jetë e mundur për Republikën e Kosovës.
Kryeministri Kurti theksoi prioritetet e Qeverisë për investime që ofrojnë vende të reja të punës dhe reforma në drejtësi.
Ai theksoi se me një qeveri që ka punësimin dhe drejtësinë në fokus, është shans i mirë edhe për Bashkimin Evropian që të dëshmojë se reformat për Ballkanin Perëndimor funksionojnë.