Kurti takon zyrtaren e lartë çeke
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka pritur emisaren Speciale për Ballkanin Perëndimor të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Çekisë, Janina Hrebickova, me të cilën ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Sipas komunikatës për medie të LV-së, Kurti ia ka shpjeguar zyrtares çeke rëndësinë e madhe që ka integrimi i njëhershëm në BE i gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në dekadën e ardhshme, për shkak të rreziqeve gjeopolitike dhe si mënyrë për demokratizimin e mëtejshëm të këtyre shteteve.
“Ai e ka shpjeguar nevojën për një plan zhvillimor të BE-së për këto gjashtë shtete duke e lidhur me dialogun nga poshtë-lart, që i bashkon qytetarët përmes zhvillimit. Ai kujtoi edhe një herë nevojën e madhe për të vlerësuar 33 marrëveshjet e arritura deri më sot mes Kosovës dhe Serbisë, duke treguar se pazari për copëtimin e Kosovës, i ashtuquajtur “shkëmbim territorial” ose “korrigjim kufijsh”, është një plan që ka dështuar. Palët kanë ranë dakord të vazhdojnë të shkëmbejnë ide dhe analiza, me synimin për të thelluar edhe më shumë bashkëpunimin mes Kosovës dhe Çekisë”, është thënë në komunikatën e LV-së.
/Epoka e re/