Kurti: Të gjithë duhet të angazhohen që çdo grua e vajzë të jetojë pa dhunë dhe frikë
Kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kanë marrë pjesë në lansimin e programit të kryerësve të dhunës.
Kurti ka thënë se të gjithë duhet të angazhohen që çdo grua dhe vajzë të jetojë pa dhunë e frikë.
Kurti ka theksuar se janë duke siguruar që viktimat e dhunës të kenë kushtet e nevojshme për të rindërtuara jetën e tyre.
“Çdo vajzë e grua ka të drejte të jetojë pa dhunë, pa frikë dhe pa u kërcënuar. Çdo vajzë dhe grua ka të drejtë të jetojë e lirë. Kjo është bindja ime e thellë dhe angazhimi ynë. Është angazhim i të gjithë neve. Këtë synim e kemi në Kushtetutën tonë, e kemi në ligje. Krahas rehabilitimit psiko-social për ata që kanë kryer dhunë ndaj grave dhe vajzave synimi përfundimtar është krijimi i një mjedisi të sigurt për të mbijetuarat”.
“Ne nuk mund të kthejmë kohën mbrapsht për krimet që kanë ndodh por mund të iu ofrojmë mbështetje viktimave e të parandalojmë krimet për të ardhmen e për këtë po investojmë duke siguruar se viktimat e dhunës i kanë burimet e strukturat e nevojshme për të rindërtuara jetën e tyre”, ka thënë Kurti, duke shtuar se kanë rritur financimin për strehimoret mbi 100 për qind në vitin 2023.
Ndërsa ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë se dhuna ndaj grave nuk është çështje private dhe nuk duhet të konsiderohet asnjëherë si e tillë.
Ajo ka kërkuar që dhuna të raportohet.
Në anën tjetër, Franak Power, shef i Zyrës së Këshillit të Evropës, ka thënë se qëllimi kryesor i programeve të tilla është minimizimi i numrit të viktimave të dhunës.