Kurti: Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë
Kryeministri Albin Kurti, bashkë me minsitrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla, sot ka dalë në vendin ku mbrëmë ndodhi shpërthimi në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Ai para medieve ka thënë se policia ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës.
“Sulmi dhe shpërthimi i mbrëmshëm kishte për qëllim dëmtimin e pariparueshëm të infrastrukturës kritike dhe rrjedhimisht cënimin e sigurisë kombëtare dhe defunksionalizimin e jetës normale në vendin tonë.
Falë punës së jashtëzakonshme të institucioneve, inxhinierëve dhe punëtorëve të ndërrmarrjeve publike, u rikthye në funksion kanali i Ibër Lepencit në kohë rekorde duke mundësuar furnizimin e KEK-ut me ujë. Për këtë u jemi shumë falënderues dhe mirënjohës për punën dhe angazhimin.
Sot së bashku me ministrin Sveçla, Drejtorin e Policisë së Kosovës, Hoxha dhe Drejtorin e AKI-së, Ajeti ishim në fshatin Varagë të Zubin Potokut, tek kanali i dëmtuar nga detonomi i mbrëmshëm.
Institucionet tona të sigurisë janë duke bërë përpjekje maksimale për zbardhjen e rastit dhe deri tani ato kanë kryer bastisje ku ka edhe të arrestuar, dëshmi e prova materiale. Të gjithë këta kriminelë dhe terroristë do të përballen me drejtësinë. Në anën tjetër, institucionet tjera përkatëse janë duke bërë gjithçka çfarë është e mundur që të sigurohet uji i pijshëm, energjia elektrike e ngrohja.
Një falënderim të veçantë për qytetarët e vendit për mbështetjen, solidaritetin dhe maturinë e treguar”, ka deklaruar Kurti.