Kurti: Të rritet pjesëmarrja e grave në Lëvizjen Vetëvendosje dhe politikë
Lëvizjes Vetëvendosje synon përfshirjen sa më të madhe të grave në vendimmarrje dhe politikë. Kështu u tha të dielën në tubimin mobilizues të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje me temë “Gratë në Lëvizje”.
Kryetari i LV-së, Albin Kurti, ka thënë se fokusi kryesor i kësaj partie është numri më i madh i grave në bazën e tyre, pasi sipas tij gruaja e drejton ndryshe partinë dhe shtetin.
“Ne duhet ta rrisim pjesëmarrjen e grave në politikë. Nuk është zgjidhja e mjaftueshme vetëm te përzgjedhja e një përqindje lart në hierarki, pra te kuotat përfaqësuese, sepse shpesh kemi parë edhe në vendin tonë edhe në vende tjera se kur një grua ka arritur në pozita më të larta, situata e përgjithshme për gratë nuk ka ndryshuar. Për mendimin tim ne duhet të punojmë më shumë për të rritur më shumë anëtarësimin e grave. Pra, fokusi ynë kryesor duhet të jetë transformimi i bazës. Siç e tha edhe sekretarja jonë, aktualisht vetëm çdo i katërti anëtar në Lëvizjen Vetëvendosje është grua, dhe kjo duhet të ndryshojë shumë dhe shpejt”, ka thënë ai.
Sipas Kurtit, gratë po i qëndrojnë larg politikës pasi kjo aktualisht është politikë patriarkale.
Duke i përmendur deklaratat e para nga gratë për barazi gjinore, nënkryetarja Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, ka thënë se që nga viti 1971 ende po duhet të diskutohet për barazi gjinore.
Sipas saj, synimi i partisë është që të jenë 50/50 sa i takon barazisë gjinore.
“Është e qartë që tubime të tilla ne nuk i mbajmë shpesh sepse ne nuk e shohim të ndarë rolin e gruas në shoqëri, por historikisht ne nuk mund ta mohojmë se gruaja ka qenë e privuar nga shumë të drejta që i kanë takuar burrave”, ka thënë Mullhaxha-Kollçaku.
Drejtuesja e sekretariatit të Gruas në Lëvizjen Vetëvendosje, Nazlie Balaj, ka thënë se të gjitha gratë me profesione janë të përkushtuara t’i ndihmojnë njëra-tjetrës për t’u fuqizuar në shoqëri.
/Epoka e re/